Letër e kryeredaktores

11988778_10153036319111503_3349919191524862588_nA e dini se mund të ketë më shumë shqiptarë jashtë shteteve tona sesa brenda tyre?

Kjo pyetje do të marrë përgjigje përfundimtare përmes projektit të madh të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e diasporës që ka filluar muaj më parë.

Këta bashkëkombas të vyer po e dëshmojnë veten përmes përfaqësimit tonë në botë, remitencave dhe qarkullimit të prekshëm të informacionit.

Revista “Porta” do t’i dedikohet pikërisht atyre: diasporës sonë; storjeve të tyre frymëzuese e të jashtëzakonshme – prej momentit kur e kanë lënë vendin e deri më sot.

Në këtë kohë të çmendur kur klikimet shkojnë për tekstet si “e tmerrshme, shihni çka ka veshur Kallashi”, revista “Porta” do të insistojë t’u sjell rrëfime të zgjeruara e përmbajtësore, në vend të dy-tre rreshtave intrigues. Përmbajtja jonë do të realizohet më ngadalë, pa presionin e shpejtësisë dhe nuk do të jetë sipërfaqësore.

Për ata që e njohin botën e mediave dhe i kuptojnë trendet mediale, është e kuptueshme që rruga të cilën ne e kemi zgjedhur mund të jetë e vështirë ngase bota jonë e dashur sikur po shkon në atë drejtim – lajme të shpejta, gjysmë të vërteta, ndonjëherë pa asnjë burim.

Megjithatë, ne duam të ruajmë diçka nga tradita e gjatë e medias: durimin dhe gazetarinë cilësore. Nëse ju dukemi idealistët e fundit, në rregull; nuk kemi problem me këtë.

Gjithçka nisi nga Vjena e cila si porta kryesore e shqiptarëve për në pjesën tjetër të botës, do të jetë shtëpia e kësaj reviste.

Veçanërisht, ne do të informojmë për sukseset e vështirësitë që kanë me miliona shqiptarë jashtë vendit. Do të promovojmë njerëzit tanë të suksesshëm, do të nxisim debat rreth temave kombëtare, por edhe globale përmes shkrimeve tona dhe publikimit të shkrimeve të jashtme.

Prandaj jeni të lutur t’i dërgoni opinionet tuaja në info@revistaporta.com dhe bashkë do t’i ndajmë me lexuesin tanë.

Lexim të këndshëm!

Lindita Fetiu Sina