Shuk Orani krijon piktura plot ngjyra e jetë. Puna e tij është ekspozuar në galeri të ndryshme në gjithë botën. Veprat e tij mund ti shihni çdo ditë në galerinë e tij pranë qendrës së qytetit të Hamburgut, ku edhe jeton artisti tash e shumë vite.
Në këtë intervistë ai ndanë me lexuesit e Portës botën e tij të brendshme, inspirimin dhe eksperiencat e tij nga jeta në Gjermani.
Lexim të këndshëm!
Porta: Ju jetoni dhe veproni tash e shumë vite në Gjermani. Si e shihni këtë vend për të zhvilluar jetën tuaj si profesionale por edhe më gjerë?
Gjermania si vend ekonomik është një ndër më të zhvilluarat e botës! Këndvështrimi im në këtë rast është ky: varësisht prej qëllimeve që ka njeriu, që ky vend ofron shumë mundësi zhvillimi e sidomos në aspektin ekonomik. Për mendimin tim mundësitë janë gati të pafundta! Ndërsa sa i përket zhvillimit dhe avancimit në sferën artistike, besoj që kjo rrugë mund të jetë më e vështira!
Porta: Si ju ka trajtuar Hamburgu dhe banorët e tij?
Që nga fillimi i të jetuarit në këtë vend të mrekullueshëm nordik, pa e tepruar aspak! e kam ndier vehten si në vendlindje! Për mua kjo pjesë e bukur e këtij vendi me zemër kaq të madhe është shëndrruar në vendlindjen time të dytë. Ndërsa banorët e këtij vendi janë të civilizuar dhe të gatshëm për përkrahje dhe bashkëpunim. Egziston një lloj klisheje që banorët nordik të jenë të “ftohte”!.. por në të shumtën e rasteve këtë nuk mundem ta pohoj. Eksperiencat e shumta të jetës deri më sot kanë qenë në të shumtën e rasteve pozitive. Ndërsa, çka unë mendoj që mundet të ndryshohet është në disa raste “konkurenca jo e barabartë” në qarqe të caktuara të pozitave udhëheqëse, si ne kompani private ashtu edhe në disa tjera shteterore por jam i bindur që me kohë edhe kjo pikë do të zëvendësohet me njëlloj reforme natyrale të njehsimit!
Porta: Na trego pak për kohën e studimeve. Sa është e vështirë të përfundohen studimet për art në një universitet gjerman?
Pasi që pata përvetësuar pak a shumë gjuhën gjermane në fillim kam studiuar juridikun në Universitetin e Hamburg-ut për gati tre semestra. Më pas kalova në degën që më kishte përcjellë gati gjithë kohën, e ato ishin Mediat, Dizajni të kombinuara me Art!
Kam përfunduar së pari në një Akademi Publiko/Private – Media design për Media Digjitale dhe të Shtypit – specializim në Mediadesign Print, dhe më pas kam vazhduar në akademinë private për Publikime Elektronike. Këtu kam përfunduar në degën Media Operating Digital / Publikime eletronike Art dhe Design. Të studiohet për art dhe dizajn nuk mendoj që është edhe e vështirë, pasi që është kënaqësi e veçant të studiosh në drejtimin që ke ëndërruar gjithmonë. Vështirësitë paraqiten vetëm në financimin e studimeve, kjo dmth që shumica e studentëve këtu krahas studimeve dhe angazhimeve të shumta medoemos edhe duhet të punojnë për të mbuluar shpenzimet e shumta të shkollimit.
Porta: Sa ka qenë e vështirë të gjeni mundësi të jetoni nga arti në Gjermani. Kur dihet se shumë artistëve nuk iu shpërblehet puna dhe gjithmonë duhet të kërkojnë një punë të dytë apo angazhim tjetër për të mbijetuar?
Arti asnjëhere nuk është garant i mbijetesës, ai është sfidë e jetës dhe njëherit është eliksir i të mbijetuarit kreativ në një botë me binare kulture, është vetë pikë fillimi dhe zhvillimi shpirtërorë përgjatë gjithë historisë së egzistimit të civilizimit njerëzorë. Ky njëherit është hapi i parë edukativ në zhvillimin dhe pikënisjen e unifikimit të botës së brendshme të një personi – duke filluar me vizatimet e para të një fëmije të vogël dhe e gjithë kjo luan një rol të veçant në drejtimin që përmblidhet në kulturë dhe zhvillim të një shoqërie. Në të shumtën e rasteve shumë artistë janë të detyruar edhe të ushtrojnë një profesion apo punë tjetër për të mbijetuar, por kjo nuk dmth që arti që krijon nuk është i nivelit. Qëllimi i artit nuk është fitimi, së paku kjo ide i përshtatet krijimitarise shpirtërore që bazën nuk e ka te paraja!… ndërsa bota, qëndrimi dhe bindja shpirtërore e krijimtarise së një artisti edhe përcakton rrugën e tij duke anashkaluar “përshtatjen” dhe komercializmin e tij për hir të fitimit material. Qëllimi duhet të mbetet ai që në fakt ngrit vlerën kulturore dhe shpirtërore të një shoqërie, e në kohën e sotit ka me siguri pjesërisht edhe ndikim global. Rasti ideal për një artist sigurisht që do të ishte, ai i reflektimit të ideve, bindjeve të tij krijuese me vlerë artistike të lidhura edhe me përfitime. Kjo e fundit gjithsesi është e nevojshme dhe ndikon në kreativitet dhe zhvillim më të shpejt dhe të përqëndruar.
Porta: Jeni mjaft aktiv edhe sa i përket zhvillimeve politike e sociale në vendin amë. Nuk jeni tërhequr krejtësisht në jetën tuaj por vazhdoni të avokoni për përmirësim të jetës së qytetarit në Kosovë e Shqipëri. Sa e fuqishme është lidhja juaj më Prishtinën edhe pas kaq këtyre viteve jetese jashtë shtetit.
Besoj që vetë modeli i të krijuarit art, qëllim apo thënë më saktë njërin nga qëllimet edhe duhet të jetë ai i të mirës kolektive. Pasi që flasim për krijimtari “shpirtërore”, gjë e cila gati se automatikisht gjenë ndërlidhjen e ndjenjës së një artisti përbrenda. Këtu gjithsesi rol të veçant luan edhe vendi i lindjes por edhe origjina apo ajo që do të luaj rol të veçant në jetën e një njeriu me pikëpamje të shëndosha dhe etike kundraull një vendi që synon dinjitet dhe mirëqenie. Sa i përket lidhjes time me vendlindjën, mendoj që asnjëhere nuk kam arritur të shkëputem plotësisht, pasi që ka diçka që mbanë ndezur njëlloj energjie që aktivizohet çdo herë kur brendësia e një individi e kërkon. E mira e të gjithave në këtë pikë është që unë personalisht kam vazhduar të mbajë lidhjet me Prishtinën e Tiranën, dhe jo vetëm ato familjare, por edhe ato shoqërore e kulturore. Një pjesë të madhe të shoqërisë time të ngushtë e kam gjithandej trojeve shqiptare. Ndërsa qështja e avokoimit, nuk besoj që është diçka e madhe, kjo është më e pakta çka duhët të bëjë një njeri për një të mirë kolektive e sidomos një artist që ka rrënjët nga këto anë!
Porta: Çka ju inspiron në krijimin e artit tuaj?
Inspirimin më të madhë e gjejë tek Jeta. Ajo ofron kaq shumë, por ajo fsheh edhe kaq shumë përbrenda. Ajo që fshihet është shumë me e madhe se ajo që shihet. Në të vërtet është njëlloj univerzi në vete, dhe pikërisht kjo lidhje më shpie edhe tek tema tjetër që e zhvilloj me vite, tek Univerzi me të gjitha ato galaksi, dhe e gjitha kjo me ndërlidhje intenzive me shpirtin dhe qenien tonë. Ne bartim në vete galaksi të tëra, pa e kuptuar fare se përse!?
Ne kontaktojmë në fund të planetit njeriun qe emocionalisht i përshtatet parametrave tona energjike, por ende nuk e kuptojmë se si ndodhë kjo e gjitha! Pafundësia e mundësive është realitet aktual. Nuk është qëllimi i zbulimit të botërave të pafundëta ideal i një artisti! Qëllim edhe më i rëndësishëm duhët të jetë funksionimi i një bote më të mirë e të avancuar për kohën e tashme. Një pikënisje në evolucionin e ri që doemos do të filloj rrugëtimin e kohës që do te vijë… Çmenduria në aspektin artistiko-kreativ besoj që në një të ardhme do të shëndrrohet në traditë të thjeshtë e normale, atëhere kur normalja e të sotmes do të shëndrrohet në kohën primitive, si ajo që e njohim sot e sidomos prej kohës së Homosapiens, duke pasur parasysh që kjo kohë llogaritur me kohën e universit është sa “qelë e mbyllë sytë”.
Porta: Ngjyrat që përdorni dhe loja me to reflektojnë shpesh harmoni dhe pozitivitet, a është kjo ajo që ndjeni se po transmetojnë punimet tuaja?
Fati i mirë është që ngjyrat i kam përcjellëse të pandashme që nga fëmijëria e hershme. Nuk egziston asnjë sekuencë e vogël në jetën time e cila nuk është ndikuar nga ngjyrat, në format më të ndryshme. Pastaj, përvetësimin dhe shëndrrimin e ngjyrave në një “lojë” kreative të krijimit e ndikuan edhe studimi i shkencës dhe menaxhmentit të ngjyrave në Akademitë që kam përfunduar. Qëllimi i krijimtarisë sime në të shumtën e rasteve është ai pozitivë. Zhvillimi i një vepre edhe nëse tematika ka të bëjë me ndonjë element tragjik, nuk do të thotë që e njejta të reflektojë përmes veprës dhe të shpërndajë edhe më tepër ndjenjën tragjike. Të gjithë e njohim atë, ose thënë më mirë shumica nga ne! Besoj që ndikimi i pozitivitetit është shumë më i fuqishëm në një ambient apo hapësirë, ai reflekton shpresë, krijon dinamikë aktive në përmirësimin e një gjendjeje depresive. Me fjalë tjera, unë besoj që edhe nga situatat më negative njeriu mund të nxjerr pozitivën dhe me këtë edhe të krijoj një kahje të re me vegla dhe elemente të kriimtarisë artistike duke filluar me ngjyrën.
Porta: Së fundi e keni prezentuar në rrjetet sociale një hapsirë të re ku punoni. Pra, na tregoni më shumë për atelienë tuaj. Kush mund ta vizitoj dhe kur?
Para disa muajsh jam zhvendosur nga një pjese e qytetit në tjetrën. Tani jam fare pranë qendrës së qytetit me atelienë time. Hapësirën e ndajë së bashku me një koleg timin gjerman. Galeria është e hapur çdo ditë, nga ora 10 deri në ora 19. Dhe mund të vizitohet nga të gjithë dashamirët e artit. Unë personalisht jam dy herë në javë pasiqë në të shumtën e rasteve qëndron galeristi dhe pret dashamirët e artit. Herë pas here kemi edhe studentë të akademive të artit që realizojnë praktika brenda ateliesë/galerisë.